Ndjeshmëria qytetare dhe ajo e specialistëve ndaj dëmtimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shkeljes së ligjit për ndërtime në zonën e mbrojtur arkeologjike , qofshin këto dhe me interes publik, ka vënë në lëvizje dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur akuzat që Shoqëria Civile ka ngritur ndaj Bashkisë Durrës për një ndërtim të paligjshëm që cenon frikshëm legjislacionin në fuqi.
Prokuroria nisi hetimet pas kërkesë padisë së paraqitur nga Aleanca për Mbrojtjen e Vlerave Kombëtare (AMVK) ndaj Bashkisë.
Ndërkohë më 7 shkurt, sipas aktivistes së Shoqërisë Civile Lorisa Ylli, edhe shoqata MENV Group ka kërkuar pranë Gjykatës Administrative të shkallës së parë Durrës pezullimin e punimeve të paligjshme në shesh, ndërkohë që AMVK së bashku me Unionin e Ekspertëve Mjedisorë i është drejtuar me një shkresë dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Mediave për një dëgjesë publike mbi dëmin që po i shkaktohet ligjit dhe qytetit të Durrësit me këtë ndërtim.