Rreth 400 artistë nga 65 vende të botës nga Amerika, Tajlanda, India, Kina, Japonia, Turqia, Koreja e më gjerë kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në edicionin e dytë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë ?VIZart?.
Bienalja nisi në orët e para të së dielës me një konferencë për mediat, ku është shpalosur një projekt i pasur nga kuratori i bienales Helidon Haliti, drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi dhe drejtori i Kulturës në Bashkinë e Tiranës Abaz Hado.
Ndërsa ekspozita çelet në mbrëmje, bienalja që sfidon me elementin e pikturimit Live tashmë ka nisur. Mjeshtërit e akuarelit, turku Atanur Dogan dhe indiani Amit Kapur kanë nisur menjëherë të pikturojnë para publikut e kamerave. Dogan befason me zgjedhjen, kur deklaron se do të nis të pikturojë portretin e Nënë Terezës.
?Nënë Tereza është frymëzim dhe dritë. Për mua sytë e saj që përcjellin paqen janë të paharruar. Ajo ishte një grua e madhe, që mbart cilësite e një nëne të mirë shqiptare, por që bëhet simboli i dashurisë dhe paqes fetare në gjithë botën ?, u shpreh Dogan.
Dogan ka bërë kohë më parë edhe një portret për shkrimtarin e madh Dritëro Agolli.
Dita e parë e bienales së akuarelit ka vijuar me demonstrimet live të pikturimit nga artistët Igor Sava dhe Ekaterina Sava, Linda Doll dhe Besnik Xhemali.