Rregullohet pajisja e ADN në laboratorin e policisë

RTV KLAN 2017-08-11

Views 0

Më në fund pajisja e cila kryen krahasimin e ADN-së në laboratorin e Policisë Shkencore është rregulluar dhe është në gjendje pune. Llampa e djegur qe ishte bërë pengesë për hetimet e disa dosjeve, kryesorja ajo e aksidentit në plazhin e Ksamilit ku humbi jetën një turiste ruse, është zëvendësuar.

Pajisja sipas burimeve është kolauduar dhe në ditët ne vijim pritet të dalë rezultati për aksidentin ku humbi jetën 15-vjeçarja Ksenia Ryok. Për këtë rast policia ka arrestuar 31-vjeçarin Ermal Fataj i cili me skafin e tij dyshohet se ka goditur në kokë dhe kraharor adoleshenten. Ekspertët në helikat e mjetit lundrues gjetën fije floku që mendohet se janë të viktimës. Por për të marrë një përgjigje shkencore ato duhet të krahasohen me flokët e 15-vjeçares.

Fataj në datën 24 korrik u la në burg nga Gjykata e Sarandës me afat 45 ditë. Kjo periudhë do të shërbejë vetëm për të pritur rezultatin e ADN-së, i cili mund të konfirmojë se Fataj është autor i aksidentit ose rrëzojë dyshimin e policisë. 31-vjeçari para prokurorëve dhe gjykatës ka mohuar të gjitha akuzat.

Ambasada ruse vazhdon, nga ana tjetër, të kërkojë informacione periodike nga Prokuroria e Sarandës për mbarëvajtje e hetimeve. TV KLAN

Share This Video


Download

  
Report form