Atentat me tre te plagosur ne Vlore

RTV KLAN 2018-05-03

Views 5

Tre persona u plagosën në një atentat të ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në Vlorë, ndër ta dhe nje femijë 8 vjeç. Ka qenë ora 09:35 minuta kur një breshëri automatiku u derdh mbi një automjet tip ?Mercedes-Benz? me targë VL 6368 C.

Në të gjendeshin Ferdinand Llanaj 39 vjeç dhe Dritan Bega 50 vjeç. Djali 8-vjeçar i Llanajt ndodhej pranë makinës së të atit.

Të paktën 20 plumba janë qëlluar në drejtim të tyre. Sipas policisë autorët dyshohet se kanë qenë dy. Ata i kanë zënë pritë objektivit të tyre me një automjet tjetër tip BMW me targa italiane dhe plumbat kane ardhur nga personi që ka qenë në vendin e pasagjerit.

Besohet se ka pasur një kundërpërgjigje nga njëri prej të plagosurve, pasi në vendin e ngjarjes u gjet një pistoletë e gjakosur.

Autorët janë larguar në drejtim të autostradës Vlorë ? Fier dhe rreth dy orë më pas makina e tyre u gjet e djegur në fshatin Kafaraj të Fierit, poshtë një nënkalimi të rrugës Levan-Tepelenë.

Brenda ishte lënë kallashnikovi me të cilën u krye atentati. Ndërsa gjurmë të tjera vështirë të gjenden pasi makina është e shkrumbuar tërësisht.

Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen dyshon se objektivi ka qenë Ferdinand Llanaj. Nuk përjashtohet që bashkë me të te jetë tentuar edhe eliminimi i Dritan Begës.

Pista kryesore ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, por në dy drejtime të ndryshme.

E para është ajo e konflikteve e masakrës se Çoles në 2015 ku vëllai i Ferdinand Llanajt, Aleksandri së bashku me miqtë e tij Ani Begaj dhe Bertil Aliaj vranë 3 të rinjtë Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.

E lidhur me këtë histori sipas burimeve te policise, është dhe vrasja e biznesmenit Erven Hyseni në sheshin e Flamurit në Vlorë, ku mbeti i vdekur aksidentalisht edhe drejtori i OSHEE në Vlorë Roland Saliu. Erven Hyseni ishte daja i një prej të vrarëve të masakrës së Çoles.

Dinamika e ngjarjes është thuajse e njëjtë. Është përdorur një kallashnikov, një makinë tip BMW dhe më pas mjeti gjendet i djegur në Fier poshtë një mbikalimi, në të dyja rastet.

Pista e dytë është zinxhiri i hakmarrjeve që familja Llanaj ka me familjen Xhaferri në Selenicë, që ka shkaktuar disa të vrarë.

Në vitin 2011 në Selenicë është vrarë babai i të plagosurit Ferdinad Llanaj, Baftjar Llanaj, i cili dyshohej se kishte vrarë dy persona nga familja Xhaferri. Për këtë ngjarje u arrestua Sako Xhaferri, i cili mbeti i plagosur edhe vetë në atentat.

Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë edhe konflikte të tjera të cilat mund të jenë të lidhura me aktivitete të paligjshme.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form