Në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishin thirrur dëshmitarë VIP, në lidhje me kërcënimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe parardhësit të tij Dhori Kule.
Në këtë seancë u pyetën ish - Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë, Haki Çako, si dhe profesorët Shezai Rrokaj, Klodeta Dibra dhe Majlinda Keta.
Emiljano Shullazi këtë seancë ka qënë i vetmi i pandehur që ka marrë pjesë, 4 të tjerët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.
Saimir Tahiri në dëshminë e tij tha se kërcënimin ndaj dy profesorëve e mori vesh nga ish - Kryeministri Sali Berisha, i cili sipas tij duhet të vijë të dëshmojë.
"Gjithçka e mora vesh nga një postim i ish - Kryeministrit Berisha. Nuk e kuptoj se si Prokuroria nuk e merr të dëshmojë atë, por kështu është kur edhe prokuroria bën politikë. Mbaj mend që thirra në zyrë Dhori Kulen Mynyr Konin, Ministren e Arsimit, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe atë të Tiranës për të mësuar më shumë mbi situatën. Por ai që duhet të vijë të dëshmojë këtu është Sali Berisha. Si e mori vesh ai që kishte pasur një kërcënim në një kohë që nuk e dinte policia? Ai duhet të vijë të tregojë, pasi telefonatave të mia nuk iu përgjigj".
Të njëjtën kërkesë me Tahirin kishte dhe Shullazi, i cili i kërkoi gjykatës që ish - Kryeministri të thërritet dëshmitarë, kërkesë e cila u pranua.
Drejtori i Policisë, Haki Çako në dëshminë e tij tha se ishte vënë në dijeni për kërcënimin nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Çako sqaroi kishte takuar Dhori Kulen, i cili kishte thënë se kandidati për rektor Mynyr Koni ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi me qëllim tërheqjen nga gara. Ai tha se kishte telefonuar Dhori Kulen për ngjarjen. Pas kësaj, Çako tha tha se kishin marrë kontakt me Konin me qëllim regjistrimin e kallëzimit.
Në listën e dëshmitarëve ishte dhe ish - rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por që për arsye personale u largua duke mos dëshmuar.
Tv Klan