Ish-drejtori i SHIK-ut, Fatos Klosi në studion e Report TV ka analizuar dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika gjatë ditës së sotme.
Në fjalën e tij ai tha se emërimet në këtë organ janë bërë fatkeqësisht nga politika duke larguar njerëzit profesionistë dhe në vendin e tyre janë zgjedhur njerëz që kanë qenë të implikuar me politikë.
Largimin e shefit të SHISH, Klosi e ka cilësuar si të papritur , duke shtuar se në periudhën e demokracisë drejtuesi i këtij institucioni është larguar me shkarkim nga kryeministri, por më parë duhet të merrte dekretimin nga Presidenti i vendit.
I pyetur për zyrtarët amerikanë që janë parë gjatë ditës së sotme teksa vizitonin ambientet e Shërbimit Informativ Shtetëror, ai e ka cilësuar si një diçka të zakonshme pasi bashkëpunimi me CIA-n ka qenë shumë i ngushtë prej vitesh. Ai tha se ata kanë hyrë dhe kanë dalë nga ky institucion si në shtëpinë e vet, pra e cilëson si një marrëdhënie të ngushtë mes dy organeve të shërbimit informativ.
Intervista e Fatos Klosit në Studion e Report TV:
Si e analizoni dorëheqjen e drejtuesit të institucionit të SHISH?
Për mua është e papritur, më duket i papritur, sepse ka marrë dhe vlerësime për punën e bërë. Me një fjalë është lavdëruar për punën që ka berë, por dorëheqja është pak e papritur dhe e dyshimtë.
Në periudhën e demokracisë shefi i ShIK-ut është larguar me shkarkim dhe jo me dorëheqje, është kryeministri që vendos për emërimin dhe shkarkimin e tij, por me dekret është po presidenti që vendos.Nuk duhet të çuditemi që kanë ndodhur brenda një ore, sepse është proceduriale. Biseda e sotme mes kryeministri me Presidentin besoj këtë qëllim ka patur, por besoj se ka patur një kompromis për këtë dorëheqje.