Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Fatmir Meçon, punonjësin e Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, i akuzuar për prodhim dhe shitje droge si dhe për shpërdorim detyre. E njëjta masë u dha edhe për të arrestuarin tjetër, që dyshohet si bashkëpunëtori i tij, Fitim Selaci, 19-vjeçarin nga Fushë-Kruja.
Organi i akuzës ka kërkuar të konsiderohet i ligjshëm arresti me burg për të dy të arrestuarit për prodhim e shitje e narkotikëve dhe shpërdorim detyre për efektivin e policisë. Sipas Prokurorisë, 23-vjeçari nga Gjerbesi i Skraparit, shiste lëndë narkotike në ish-Kënetë me persona të tjerë. Lëndën narkotike e mbante në banesën e tij dhe më pas ua shpërndante personave të tjerë e më pas në mënyrë demonstrative e konsumonin duke u kthyer edhe në shqetësim për komunitetin.