Partia Socialiste ka akuzuar sërish ish-kryeministrin Sali Berisha për aferën e koncesionit të kontenierëve, duke e cilësuar si një prej aferave më të mëdha të qeverisë Berisha. Deputetja e PS, Blerina Gjylameti, deklaroi në një dalje për media se përmes kësaj afere Berisha futi në xhepat e tij mbi 100 milionë euro.
Mes të tjerash, deputetja pyet Prokurorinë se pse nuk ka nisur hetimet për këtë aferë, e cila flenë në zyrën e këtij institucioni prej pesë vitesh.
Deklaratë për media e deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti
Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur, ka denoncuar aferën e koncensionit të kontenierëve si një prej aferave më të mëdha të qeverisë Berisha. Megjithatë, tani nuk jemi të vetëm, pasi përmasat e kësaj afere kanë skandalizuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ditë më parë, rrjeti prestigjioz ?Bloomberg? publikoi prova të pakundërshtueshme se gjysma e 250 milionë dollarëve të kontratës së lidhur midis shtetit dhe kompanisë amerikane që fitoi tenderin, iu kalua në formë ryshfeti ish kryeministrit Berisha dhe njerëzve të tij më të afërt.