TIRANE - Report TV zbulonin planin e masave për protestën e thirrur nga opozita me në krye Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim nesër në orën 12:00 përpara Kryeministrisë. Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se do jenë rreth 1500 policë të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestës e cila mësohet se do zgjasë katër orë.
Të angazhuar do jenë FNSH, Forcat e Rendit dhe ato operacionale. Gjithashtu, në terren do të ketë edhe agjentë civil dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Synimi është shmangia e incidenteve dhe një tentativë e mundshme e protestuesve për të sulmuar institucionet, pavarësisht se organizatorët e kësaj proteste si kreu i PD, Lulzim Basha ashtu edhe ajo e LSI, Monika Kryemadhi kanë mohuar ekzistencën e skenarëve të dhunës.
PD ka marrë leje nga Policia e Tiranës për një protestë 4 orëshe cila nis në orën 12:00 përpara Kryeministrisë. Protestuesit do marshojnë nga selia e PD, sheshi Skënderbej dhe Rruga e Elbasanit në drejtim të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit".