Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar, një tregues direkt i nivelit të informalitetit në ekonomi, ka arritur në nivelet më të larta në tetë vjet në 2017-n. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, jashtë kanaleve bankare qarkullonin në dhjetor 265 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë euro.
Kjo shumë është e barabartë me 20.9% të parasë gjithsej në ekonomi, nga 19.7% që ishte ky tregues një vit më parë. Në vlerë absolute paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare është shtuar me gati 120 milionë euro në 2017-n. Ky është niveli më i lartë që nga 2009-a (shih grafikun), kur u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar për shkak të frikës që u shkaktua në atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale.
Në janar dhe në shkurt, paraja jashtë bankave ka shënuar ulje, por sërish ajo mbeti në 20.6% të total, rekord i tetë viteve të fundit. Pasi zbriti në shkurt 2013 në 16.5% të totalit të parasë gjithsej, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i parasë jashtë bankave filloi të rritej sërish, duke arritur në 20.2% në qershor 2017. Kjo kohë përkon me zgjedhjet e përgjithshme, ku tradicionalisht ka një rritje të parasë cash në qarkullim. Rritja ka vijuar dhe në muajt në vijim, për të arritur në 20.9% të totalit në fund të vitit.