?Tirana po rigjenerohet falë punës suaj?, ishin fjalët e kryetarit të Bashkisë së Bolonjës, Virginio Merola, pas takimit të sotëm me kryebashkiakun, Erion Veliaj, me të cilin bisedoi mbi shtimin e marrëdhënieve për punësimin e të rinjve dhe projekte konkrete në fushën e agroturizmit.
?Këtu punojnë shumë italianë, të shumtë janë edhe shqiptarët që jetojnë në qytetin tim. Tirana është një qytet që po rigjenerohet falë punës suaj. Qytetet e hapura janë qytetet me të ardhme sepse tërheqin njerëz, inteligjencë dhe kështu kontribuojnë në zhvillimin e së ardhmes. Ne nuk duam të bëjmë një binjakëzim të zakonshëm, por projekte konkrete. Ndaj nga sot lind një bashkëpunim i ri?, tha kreu i Bashkisë së Bolonjës, Merola, i cili vlerësoi edhe projektet e realizuara në Tiranë për shtimin e korsive të biçikletave, të gjelbërimit dhe vëmendjes së treguar ndaj të rinjve.
Në shenjë miqësie dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi homologut të tij ?Çelësin e Qytetit?. Më pas, ata zhvilluan një vizitë në Sheshin ?Skënderbej?, ku në mënyrë simbolike mbollën disa pemë.
Kryebashkiaku i tiranës vlerësoi se Bolonja është kthyer në shtëpinë e dytë për shumë studentë shqiptarët, të cilët në përfundim të studimeve rikthehen për të vendosur dijet e marra në shërbim të zhvillimit të qytetit. ?Bolonja është një qytet që mikpret shumë studentë shqiptarë, të cilët e kanë kthyer atë qytet në shtëpinë e tyre. Shumë ish-studentë të Bolonjës sot punojnë në Bashkinë e Tiranës. Më vjen mirë që bashkë me shkëmbimet që patëm sot, patëm edhe kënaqësinë e veçantë të shikojmë se si një investim që Bolonja bën tek studentët, i rikthehet qytetarit të Tiranës në formën e administratorëve të mirë, që na vijnë nga Bolonja në Tiranë?, tha ai.