Antibiotikët pa rekomandim janë një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri, ku shpesh ato merren direkt nga farmacia pa recetë. Specialistja e ISHP, Lindita Molla në një intervistë për Report TV shpjegon rrezikun që mbart përdorimi i antibiotikëve pa kriter dhe pa këshillimin e mjekut.
Ekspertët ndërkombëtarë të shëndetit publik kanë ngritur alarmin në lidhje me rritjen dramatike të përdorimit të antibiotikëve. Nga kjo sferë nuk përjashtohet as Shqipëria, ku përdorimi i antibiotikëve pa kriter përbën një problem shqetësues. Në intervistë për Report Tv Specialistja e ISHP, Lindita Molla tregon rreziqet e këtij përdorimi dhe tërheq vëmendjen për parandalimin e këtij fenomeni.
Në botë referohen edhe raste vdekje dhe rastet e vdekjeve nuk janë të pakta. Këto vijnë si rezultat i keqpërdorimit të antibiotikëve. Ne nuk mund të themi që në Shqipëri që ka raste vdekje të antibiotiko-rezistencës sepse studime të mirëfillta nuk janë bërë, por problematika dhe këtu është e lartë. Ne fitojmë rezistencë edhe kur kemi gjendje virale. Përdorimi pa kriter i tyre është hapi më i rëndësishëm që duhen parandaluar. Pra, ta kenë parim që në radhë të parë duhen të drejtohen te mjeku dhe pastaj të përdoren antibiotikët, të dijnë si të përdorin çajra të ndryshëm, duhet të kemi edukim të mirë të mjekëve që jo direkt përdoret antibiotiku, të kemi ndërgjegjësim të farmacistëve, që jo gjithkujt mund ti jepet antibiotik.
Lindita Molla