Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj ka rrëfyer për Report TV betejën disaorëshe të zjarrfikësve me flakët në një biznes pranë autostradës Tiranë-Durrës, në zonën e Kasharit, të dielën që lamë pas.
Sfida e zjarrfikësve, tha Goxhaj ishte mbrojtja e bizneseve përreth të cilat rrezikonin të përfshiheshin nga flakët gjigante si dhe ulja e resë së tymit e cila i drejtohej zonave të banuara.
?Ishte një situatë jo normale, ju e patë vetë edhe nëpërmjet angazhimit që patëm. Dita e ngjarjes ishte ditë pushimi, ditë e dielë, por në trafik na mundësoi lëvizje të shpejtë. Kemi mbërritur në vendngjarje në më pak se 10 minuta. Zjarri kishte përmasa të mëdha dhe u desh angazhimi i të gjithë shërbimit të zjarrfikëses së Tiranës. Parandaluam përhapjen e zjarrit te bizneset e tjera, ishin dy subjekte që rrezikonin. Pasi u siguruam se këto dy subjekte nuk do prekeshin, kaluam në fazën e dytë për të goditur vatrën e zjarrit. Mendoj se kemi arritur në një kohë rekord që ta ulim atë re tymi dhe të eliminonim atë zjarr të fuqishëm?.
Shkëlqim Goxhaj, shef i zjarrfikëses në Tiranë