Kryeministri Edi Rama, në të gjitha takimet që zhvilloi në qarkun e Beratit ku ndodhet prej së premtes, zgjodhi të mos komentojë protestën që opozita zhvilloi poshtë zyres së tij në bulevardin "Dëshmorët e Kombit. Të vetmen fjali që nënkuptonte lëvizjen opozitare, Rama e nënvizioi në prezantimin e projekteve që qeveria ka për 5 bashkitë e këtij qarku.
"Të fokusohemi te avantazhet që na japin bukuritë e natyrës. Kjo zonë i ka të gjitha, ndaj na duhet të fokusohemi që ndërsa qentë lehin ne të ecim përpara".
Rama i njeh qeverisë së tij meritën që përmes projekteve të Rilindjes Urbane iu ka rritur vlerat qyteteve ku është investuar, dhe Berati sipas tij është shembulli tipik që ka rritur vëmendjen e turistëve të huaj.
"Pashë turistë që uleshin aty kur ndërkohë më parë nuk të shikonte turistë syri".
Përdorimi i portalit ?Shqipëria që duam", Kryeministri përsërit se është shumë i rëndësishëm për të larguar njerëzit e tepsisë nga puna. Por një nga qytetarët e pranishëm në takimin e organizuar për këtë platformë i dha prova se pavarësisht se merita është kriteri që Rama thotë se vlerësohet për t'u punuar në administratë, atë e kane larguar nga puna për bindjet politike.
Me sipërmarrës të turizmit dhe agroturizimit, Kryeministri gjatë një dreke diskutoi për projektet e qeverisë në këta sektorë.
Tv Klan