Pika e Kalimit Kufitar në Morinë të Kukësit, që e lidh Shqipërinë me Kosovën në 24 orët e fundit është përballur me fluks shumë të lartë kalimesh, të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi por edhe të turistëve të huaj që udhëtojnë drejt bregdetit të Shqipërisë. Sipas Policisë Kufitare brenda 24 orëve kaluan traun mbi 20 mijë persona dhe mbi 6 mijë automjete. Vetëm në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga ora 5 deri në orën 9, në doganën e Morinit kaluan kufirin 4 mijë persona dhe dy mijë automjete. Ky fluks i lartë hyrjesh për në Shqipëri ka sjellë edhe krijimin e radhëve megjithëse autoritetet doganore dhe ato të policisë janë kujdesur të kryejnë procedura të përshpejtuara për të mos krijuar radhë të gjata. Ndërkohë fluksi i parë i emigrantëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë në vendet Bashkimit Europian ,të cilët shkojnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore ka mbërritur edhe në Rrugën e Kombit. Fluksi i kalimeve të automjeteve drejt kufirit Shqipëri-Kosovë përmes rrugës së kombit ,vijon të jetë në masë të madhe pothuajse çdo orë të ditës.