Përfundon me vrasjen e një oficeri policie një grabitje banke e shkuar keq në komunën Istog, në Kosovë.
Si pasojë e përplasjes me forcat e rendit, i vdekur mbeti edhe grabitësi.
Kjo video amatore tregon momentin kur policia e Kosovës vret autorin e grabitjes. Siç duket nga pamjet, ky agjent qëllon në drejtim të grabitësit. Plumbat e kapin në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend.
Oficeri i rënë në detyrë është Izet Demaj, baba i 3 fëmijëve, ky që shihni në këtë foto. Ai nuk mundi t?u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Mësohet se 42-vjeçari ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministri kosovar i Mbrojtjes, Rustem Berisha, postoi një foto bashkë me të gjatë betejës së Koshares.
Rreth ngjarjes së rëndë reagoi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili e quajti hero të Republikës së Kosovës oficerin e rënë.
Autoritetet kosovare njoftojnë se grabitësi është Kamer Metaj, personi që shihni në këtë foto. Ai kishte rreth 3 vjet që ishte kthyer nga Gjermania, ku kishte vuajtur një dënim prej 17 vitesh burg.
Dinamika e plotë e ngjarjes mbetet e paqartë, ndërsa policia e Kosovës është vënë në ndjekje të bashkëpunëtorëve të mundshëm të grabitjes së bankës.
Tv Klan