Lulzim Basha është i bindur se kriza politike në vend mund të zgjidhet edhe pa një dialog mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama. Në një komunikim për gazetarët jashtë selisë blu, Basha theksoi se marrëveshja mes tij dhe Ramës e 17 Majit të vitit 2017 provoi të ishte e dëmshme për vendin.
Pyetje: A mund të zgjidhet kjo krizë z.Basha pa një dialog midis jush dhe z.Rama?
Lulzim Basha: "Patjetër që po! Sepse dialogu midis meje dhe z.Rama provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë në mënyrën si u keqpërdor nga një njeri që hiqet si kryetar i Partisë Socialiste, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, dëmtojnë dhe interesat e socialistëve, dëmtojnë dhe interesat e demokracisë".
Kreu i opozitës i ka bërë thirrje Kryeministrit që të tërhiqet dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve që kanë dalë në protesta.
"Edi Rama bën mirë ta dëgjojë zërin e popullit dhe t'i hapë rrugë zgjidhjes politike dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes 339 dhe dosjes 184. Zgjidhja, kur të gijtha pushtet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit".
Lulzim Basha foli edhe për kandidatët e ardhshëm për deputetë të Partisë Demokratike, që sipas tij, do të zgjidhen përmes procesit një anëtar një votë.
"Kam vendosur të sjell standardet e demokracisë perëndimore në Partinë Demokratike dhe për këtë kam mbështetjen e gjithë botës. Me modelin që do të ofrojmë, deputetë e PD, kandidatët e ardhshëm do zgjidhen me parimin një anëtar një votë nga anëtarësia e PD. Qëllimi është shembja e sistemit që Rama ka ngritur, një sistem që e ka larguar parlamentin dhe qeverinë nga njerëzit e thjeshtë. Ky është modeli që unë ofroj dhe me ndihmën e partnerëve tanë shumë shpejt do nisim hapat për primaret e Partisë Demokratike".