Kreu i Forumit Rinor Demokrat, Bleind Këlliçi, tha për Report Tv, se protesta e opozitës do të jetë paqësore. Megjithatë ai nuk përjashtoi mundësinë që në mesin e protestuesve të ketë edhe persona që dalin jashtë skenarit të organizatorëve. "Nëse do të ketë revoltë më të madhe nga çfarë ne presim, i themi që problemin nuk e kemi me policinë por me Edi Ramën", tha Këlliçi teksa protestuesit janë mbledhur para kryeministrisë, por që ende nuk kanë mbërritur liderët e PD-së Lulzim Basha, dhe e LSI-së Monika Kryemadhi.
Këlliçi tha se mesazhin e një proteste paqësore, PD e jep përmes një kordoni të të rinjve të forumit, që janë vendosur para forcave të policisë tek Kryeministria.
"Të rinjtë janë në ballë të protestës për të dhënë mesazh paqeje, për të frenuar çdo skenar dhune, përpos gjithë propagandës që është bërë nga qeveria se protesta do jetë e dhimbshme", tha Këlliçi për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta.