Një sasi lënde eksplozive ka shpërthyer në linjën e transmetimit të energjisë elektrike 400 KW pranë fshatit Krastë të Thumanës. Policia sqaron se në mesditë, punonjësit e OST, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KW), Nr. 65, e linjave Tiranë?Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive.
"Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve", njofton policia përmes një deklarate paraprake.
Më herët qeveria e denoncoi shpërthimin me tritol, ndërsa përgjegjës bëri Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim se kanë dhënë urdhrin për këtë akt dhune. Akuza që u mohuan nga vetë PD-ja.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënësja e Qeverisë Elisa Spiropali, bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale, atë se çfarë kishte ndodhur, duke thënë se këto sulme shprehin tërbimin nga dëshpërimi.
"Vesi del me shpirtin! Goditet me tritol linja e transmetimit 400 KW në Laç dhe pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit! E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s'e ktheni", shkruan Spiropali.
Ndërkohë, edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ne një postim në Facebook ka publikuar foton e dëmtimit të linjës së transmetimit të energjisë.
"Aktet e dhunes te komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotem tek triotoli ndaj shtyllave te tensionit te larte, synojne te nxijne fytyren e Shqiperise dhe gjithe shqiptareve. Sot jemi dëshmitarë që prej ditësh PD dhe LSI kanë ndërmarrë një sulm kundër të ardhmes së Shqipërisë. Sulmit më të furishëm kundër reformës në drejtësi dhe ëndrrës tonë Europiane. Nëse do te fitonte rruga e dhunes e zgjedhur nga Basha, e sigurt eshte se Shqipëria do te humbte.Të gjitha maskat kane rene. Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, ata qe shfarosen Gerdecin, tani duan të vijnë perseri në pushtet përmes forces, dhunës dhe sot edhe me tritol. Politikanet e vjeter, te frikesuar nga drejtesia e re qe po vjen, jane bere te gjithe bashke per te mbrojtur interesat e tyre personale, si gjithmone ne kurriz te shqiptareve", shkruan Ball në rrjetin social.