Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshe si komisioni për hapjen e dosjeve, gjatë vitit 2018, ka verifikuar 463 kandidatë apo zyrtarë të niveleve të ndryshme, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit. Nga 463 individë të verifikuar, 17 kanë rezultuar të implikuar në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, si bashkëpunëtorë në cilësi të ndryshme. Në vitin 2017, janë verifikuar 821 kandidatë apo zyrtarë, ku 13 kanë rezultuar të implikuar. Pra, gjatë dy viteve, komisioni për hapjen e dosjeve ka identifikuar 30 kandidatë dhe zyrtarë me të shkuar të zezë në ish-Sigurimin e Shtetit. Të dhënat pasqyrohen në raportin e Autoritetit për veprimtarinë gjatë vitit 2018. Raporti do të shqyrtohet nga Parlamenti, i cili do të miratojë edhe një rezolutë me disa detyra që duhet të realizojë Autoriteti gjatë vitit 2019.
Zyrtarët dhe institucionet ku punojnë
Po cilët janë zyrtarët që janë identifikuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe institucionet ku shërbejnë? Komisioni për hapjen e dosjeve ka verifikuar 234 punonjës të shërbimit të jashtëm, me kërkesë të Ministrisë së Jashtme, nga të cilët 7 kanë rezultuar si të implikuar në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit. Konkretisht, në dosjet e ish-Sigurimit kanë rezultuar personat me iniciale F. R, E. M, Ll. K, J. Sh, G. S, A. A dhe A. D, punonjës në Ministrinë e Jashtme. Me kërkesë të Shërbimit Informativ Shtetëror, Autoriteti ka verifikuar 23 punonjës të këtij shërbimi. Personat me iniciale K. P, Q. D dhe R. M, pjesë e institucionit kryesor të sekreteve në Shqipëri, kanë rezultuar në dosjes e ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti ose komisioni për hapjen e dosjeve ka verifikuar të gjithë listën e kandidatëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleancës Popullore për Drejtësi, për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, ku kanë rezultuar me dosje kandidatët XH. A, R. T, F. T dhe Z. G. Me kërkesë nga Akademia e Shkencave, Autoriteti ka verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë, nga ku personat me iniciale Gj. Sh dhe I. M kanë rezultuar me dosje. Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kanë rezultuar me dosje personat me iniciale A. M dhe I. K. Gjithashtu, komisioni ka identifikuar bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Gardën e Republikës, në organet e qeverisjes vendore etj.