Romarjo Alliaj dhe biznesmeni i ndërtimit Arben Veliko të arrestuar para dy ditësh pasi inskenuan një atentat me armë zjarri kanë dalë sot para gjykatës për t'u njohur më masën e sigurisë.
Në momentin që kanë dalë para gjyqtares me pranga në duar, biznesmeni Veliko ka kërcënuar gazetarët. 'Plehra, largohuni, zhdukuni, ua tregoj unë, legena' ishin fjalët e tij kundër gazetarëve dhe operatorëve që po filmonin seancën. Prokuroria ka kërkuar masën arrest me burg për të dy personat.
Shqiptarja.com zbardhi sot arsyen e inskenimit të atentatit pak javë më parë. Shtyrja e disa borxheve financiare nga ndërtuesi i pallateve në Vlorë, Arben Veliko, bëri që Romarjo Alliaj të bënte një rol filmi, për inskenimin e kësaj ngjarjeje kriminale, sikur Alliaj të ishte personi i qëlluar me armë. Kjo do ti shërbente më pas Alliajt dhe Velikos që të largoheshin nga Shqipëria dhe të kërkonin azil politik në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Kjo intrigë e vënë në jetë në film aksion mes dy vlonjatëve është bërë në datën 12 maj 2019, në autostradën Vlorë-Fier, ku u qëllua me armë zjarri automjeti, por pas disa javësh ngjarja u zbardh dhe inskenuesit u arrestuan.