TIRANE-Katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga shumica, që injoruan dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit duke vijuar normalisht punën edhe në mbledhjen e sotme, janë marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës. Gazetarja e Report Tv Esiona Konomi raporton se katër anëtarët janë marrë në mbrojtje pas kërkesës që vetë ata i kanë bërë Ministrisë së Brendshme pas situatës së re që u vendosën në qendër të kritikave. Prej ditës së djeshme n/ kryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarët Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri ruhen nga punonjësit e Gardës. Garda i ka ofruar mbrojtje edhe kryetarit të KQZ, Klement Zguri i cili, edhe pse nuk e ka kërkuar e ka pranuar.
Pavarësisht se Presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit duke i shtyrë pa afat dhe palët janë të ndara në ekstrem, KQZ vijoi normalisht punën edhe sot. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri në mbledhjen e kaluar, u largua në mënyrë demonstrative duke deklaruar se nuk mund të vijojnë përgatitjet, pasi institucioni që ai drejton, sipas tij duhet ti bindet dekretit të Presidentit. Por katër anëtarët e PS-së vijuan normalisht mbledhjen e kaluar dhe sot e thirrën sërish në 13:00 duke miratuar rendin e ditës për përgatitjet e zgjedhjeve lokale t] 30 Qershorit. Sot mbledhjen e drejtori n/ kryetari Biba në mungesë të Klement Zgurit. "Në mungesë të kryetarit, mbledhjen e drejtoj unë" deklaroi ai, duke vijuar më pas me rendin e ditës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të rrëzojë vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, por edhe në mbledhjen e sotme, ashtu si para pak ditësh anëtarët e shumicës nuk e hodhën në votim për ta rrëzuar, por e injoruan duke vijuar normalisht punën. Partia Socialiste vijon fushatën dhe shprehet e vendosur se në datë 30 qershor do të ketë zgjedhje, por opozita thotë se do t'i bllokojë përmes strukturës së re që urdhëroi të ngrihet në cdo degë të PD-së në rrethe. Presidenti nis sot pasdite konsultimet për datën e re të zgjedhjeve.