TIRANË- Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Brahimaj ishte në studion e Report Tv me gazetarin Besard Jacaj për të folur lidhur me aksionin anti-informalitet. Brahimaj deklaroi se në disa raste gjykata i ka hedhur poshtë gjykimet e autoriteteve duke funksionuar në paligjshmëri. Ajo tha se nga shtatori do të rishikohet ligji i cili do të synojë që gjobat që mbyllin bizneset në shkelje të mos zgjasin 30 ditë por derisa detyrimet të paguhen.
"Secila prej strukturave shtetërore duhet të funksionojë sipas ligjit. Gjykata në disa raste i kanë hedhur poshtë gjykimet tona, në paligjshmëri. Gjykatat duhet të mbështesin planin tonë dhe jo të dalin kundër. Megjithatë ne me qëllim që të mundohemi dhe të mos të lëmë në dorë të gjykatave, në shtator do të rishikojmë ligjin i cili do të synojë që gjobat të mos përshkallëzohen dhe të mos shkojë në bllokim të aktivitetit për 30 ditë por derisa detyrimet të paguhen. Nuk kemi për qëllim të mbyllim bizneset", tha Brahimaj.