BRUKSEL- Liderët e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Aspak surprizë: Presidenti francez Emannuel Macron vendos veton përkundrejt shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i bindur se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së. Ndërkohë që kundër Shqipërisë janë pozicionuar edhe Holanda me Danimarkën. Por teksa Këshilli Europian nuk doli dot me një vendim, çështja e negociatave nuk do të mbyllet me këtu. Zgjerimi do të vazhdojë të diskutohet që para samitit të Zagrebit në maj 2020, i cili do të jetë destinacioni i radhës ku do të diskutohet nga ana e Këshillit Europian për çështjen e integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, ku pritet të unifikohet qëndrimi i krerëve të unionit për çështjen e zgjerimit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi zyrtarisht mungesën e konsensusit mes vendeve të BE-së për të çelur negociatat, duke e quajtur dëshpërues dhe patjetër që do të shkaktojë zhgënjim mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por ajo tha se mirëkupton edhe qëndrimin e Presidentit Macron për reformimin e sistemit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Merkel tha se nuk pati një votim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se vende të BE-së (pa i përmendur konkretisht shtetet) kundërshtuan procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.