TIRANE-Korab Lita, i vetëshpallur në krye të grupit Demokrat i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që të mos fusë hundët në punët e këtij grupi për të mbajtur Rudina Hajdarin drejtuese. Ai tha se do të vendosin deputetët e këtij grupi për 5 emrat e rinj që kanë shprehur dëshirën për t'u bashkuar me grupin Demokrat. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, ai i tërhoqi vëmendjen Rudina Hajdarit.
"Bazuar në njoftimet në media dhe informacionet nga Kuvendi, disa deputetë kanë shprehur dëshirën të na bashkohen, jam në pritje të shkresave të tyre. Shpreh mirënjohjen deputetëve që duan të na bashkohen. Grupi jonë ka pasur edhe raste pranimi edhe raste si ai i Andi Përmetit, që është rrëzuar kërkesa për pranimin e tij në grupin parlamentar.Asnjë deputet nuk mund ti bashkohet grupit, se do Gramoz Ruçi të mbajë Rudina Hajdarin në krye të grupit, i bëjmë thirrje të mos fusë hundët, atë nuk e vendos ai, por rregullorja jonë dhe deputetë. Grupi dhe unë si kryetar i shprehim mbështetjen për Rudina Hajdarin si bashkë-kryetare e reformës zgjedhore, pasi është kauza jonë kryesore. I tërheqim vëmendjen se aty është si përfaqësuese e opozitës parlamentare dhe jo përfaqësuese 'ad hoc' e Gramoz Ruçit" tha ai.
Por përse jemi në këtë situatë? Në datë 11 tetor 7 deputetë të këtij grupi parlamentar në një mbledhje të fshehtë vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit. Por disa orë më pas disa nga deputetët e këtij grupi u tërhoqën nga firma duke u përçarë. Njëra prej tyre ishte Fatjona Dhimitri, por edhe Halit Valteri që iu drejtuan kryetarit të Kuvendit duke e vendosur në dijeni për tërheqjen nga firma. Rudina Hajdari akuzonte Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi.
I vendosur përballë kësaj situate me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh të enjten e kaluar në përfundim të seancës plenare teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin. Vendimi i Ruçit është pritur me duartrokitje nga deputetja Rudina Hajdari dhe disa prej deputetëve. Me pjesëmarrjen e 5 deputetëve të rinj në këtë grup dhe tërheqjen e atyre që firmosën duket se Hajdari që akuzoi Lulzim Bashën për puç, tashmë forcoi pozitat për të blinduar postin e kryetares së grupit, por Korab Lita u shpreh sot se është ai kryetari duke akuzuar Ruçin.