Report TV - Ish-shoferi i hedh granatë kryebashkiakut të Lushnjes! Plagoset Tushe dhe sekretarja

Report TV 2020-01-06

Views 0

LUSHNJE- Atmosfera festive në Lushnje, pak orë para ndërrimit të viteve është përzier mëngjesin e sotëm me një ngjarje që ka tronditur qytetin. Teksa ishte bërë gati të niste ditën me një konferencë për mediat për bilancet e vitit 2019, kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe i është bërë atentat nga ish-shoferi i tij Gëzim Saraçi i cili i ka hedhur në zyrë një granatë dore. Nga shpërthimi i granatës ka mbetur i plagosur kryebashkiaku Tushe si dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu. Tushe dhe Qalliu janë sjellë në spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar mjekësor, ndërsa më pas kryebashkiaku ka lënë spitalin ndërsa sekretarja e tij e cila ka marrë dëmtime më të rënda, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Ka nisur fillimisht një debat mes Tushes dhe Saraçit, ndërsa më pas ky i fundit ka hedhur edhe granatën, për t'u larguar më pas me shpejtësi. Dyshohet se në momentin e largimit, Saraçi është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, ndërkohë që forca të shumta policie po punojnë për kapjen e tij.Saraçi ishte pushuar nga puna, ndërkohë mosmarrëveshjet mes dy palëve përtej postit, dyshohet se janë bërë shkak i konfliktit dhe tashmë është një nga pistat e hetimit për zbardhjen e ngjarjes. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se deri më tani si pistë kryesore hetimi është pikërisht një borxh i pashlyer i Tushes ndaj ish-shoferit Saraçi, ndërsa përgjatë pesë viteve të fundit Saraçi ishte hequr disa herë nga puna nga kryebashkiaku Tushe deri në vitin 2016 kur sipas shkresave është regjistruar edhe largimi i fundit zyrtar. Ata shiheshin herë në shoqërinë e njëri-tjetrit, edhe jashtë ambientit të punës.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Deri më tani janë shoqëruar një numër i madh personash të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Share This Video


Download

  
Report form