2019-të mbylli siparin duke zgjedhur për herë të parë sipas reformës në drejtësi dy titullarët e institucioneve ndër më të rëndësishmet. Prokurori i ri i Përgjithshëm me një mandat 7 vjeçar me votat e parlamentit është Olsian Çela. Çela vjen në këtë post duke zëvendësuar Arta Markun, e cila me një mandat të përkohshëm dy vjeçar u largua për të vazhduar karrierën e saj si gjyqtare Apeli në Tiranë.
"Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete. Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë", shprehej Çela.
Pak ditë pas zgjedhjes së Çelës në krye të akuzës, i cili sot ka një post jo hetues por më tepër administrator, Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 19 dhjetor zgjodhi në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit njohur si SPAK, Arben Krajën.
"Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un", shprehej Kraja.
Kraja erdhi në këtë post pas kandidimit me dy kolegët e tij Edvin Kondili dhe Altin Dumani, ndërsa mesazhi i parë i tij ishte se kush shkel ligjin duhet të ketë frikë.
"Besoj se do të e çojmë bashkë me të gjithë të tjerët atë që kemi nisur. Padiskutim si të gjithë të tjerët. Dosjet ata që janë do të zgjidhen të gjitha me radhë. Ka qenë një nga prioritete tona që kemi vendosur për të rakorduar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për të vlerësuar opinionin negativ për punën tonë. Sot shqiptarët duhet të besojnë se të gjithë ne si grup do të punojmë. I ashpër brenda ligjit kush shkel ligjin duhet të trembet.", tha Kraja.
Por teksa 2019 ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë do ta finalizonte me sukses, për ato ekzistuese ky vit nuk ishte i tillë.