Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Sipas avokatit të ish-ministrit, trupa gjykuese ka kërkuar kohë për të dhënë vendimin. Ndërsa vetë Tahiri pas daljes nga gjykata nuk ka pranuar të flasë për mediat.
Seanca u vendos të mbahet në datën 26 qershor në orën 13:00.
Para hyrjes në Gjykatë, Tahiri është dëgjuar të bëjë një batutë me gazetarët dhe operatorët: "Kështu e hanë të gjithë".
Në seancën e datës 11 qershor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u lexuan konkluzionet e Prokurorisë.
Prokuroria e përfaqësuar nga Vladimir Mara dhe Dritan Prenci nuk u tërhoqën nga akuzat dhe dënimi 12 vite që kërkuan në Shkallën e Parë. Saimir Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kishin përgatitur një mbrojtje prej 131 faqesh përballë trupës gjyqësore që përbëhej nga Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit ?Habilaj? ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara.
Në shtator të vitit të kaluar ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg me shërbim prove. Të dy palët nuk u kënaqën duke e apeluar vendimin, prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ish-ministri kërkon pafajësi të plotë. Në seancë për herë të parë pas vetëdorëzimit ishte i pranishëm edhe Jaeld Çela.