TIRANË- 4 ditë përpara përfundimit të afatit, Opozita e bashkuar ka propozuar ditën e sotme një draft i cili kundërshton 100% propozimin e mazhorancës për hapjen e listave dhe koalicionet. Në draftin që Report Tv disponon, opozita këmbëngul për ruajtjen e koalicioneve siç janë me ligjin aktual. Që do të thotë të ruhen koalicionet parazgjedhore, ku partitë aleate të shkojnë në zgjedhje me një listë të përbërë dhe jo të përbashkët siç propozohet nga PS. Në argumentin e dhënë, thuhet se kjo formulë e re e propozuar së fundmi nga socialistët është shfuqizuar më herët me konsensus PS-PD në reformën e vitit 2003, dhe u zëvendësua me modelin në fuqi e që sipas tyre ka funksionuar më së mirë.
Në draft propozohet lista 100 % e hapur duke i dhënë 100 % fuqinë popullit të zgjedhë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij. Gjithashtu për renditjen e kandidatëve, opozita propozon që renditja të jetë sipas rendit alfabetik, dhe jo nga forca politike siç propozohet në drafin e socialistëve, ku renditja ndryshonte nëse kandidati do të merrte një numër votash parapëlqyese më të madh sesa mesatarja e votave të partisë në zonë ku ata votojnë dhe se skualifikimi fillon nga fundi.
Ndalur te shpërndarja e mandateve, opozita propozon që ato duhet t'u jepen vetëm kandidatëve që janë votuar më shumë nga populli. "Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë. Mandatet nominale përcaktohen pasi kandidatët të jenë renditur në bazë të votave parapëlqyese që ka marrë secili prej tyre. Renditet i pari kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave parapëlqyese dhe pas tij në rend zbritës kandidatët e tjerë deri te kandidati i fundit i cili ka marrë numrin më të vogël të votave parapëlqyese", thuhet në draft.
Sa i përket rasteve ku nuk është arritur respektimi i kuotës gjinore në masën 30%, opozita ia "vesh si përgjegjësi" KQZ-së. Që do të thotë mandatin e fundit të kandidatit burrë e merr kandidatja grua që ka marrë më shumë vota. "Kur nga ndarja e mandateve nominale të subjektit zgjedhor, brenda zonës zgjedhore, nuk respektohet parimi i barazisë gjinore i cili garanton përfaqësimin në masën e të paktën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar KQZ ndan mandatet duke garantuar parimin e barazisë gjinore. Në këtë rast mandati i fundit takues për kandidatin e gjinisë më të përfaqësuar ndahet për kandidatin me numrin më të lartë të votave parapëlqyese të gjinisë së nënpërfaqësuar. Kjo procedurë përsëritet deri sa mandatet që ndahen të respektojnë detyrimin e përfaqësimit në masën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar për secilën zonë zgjedhore", thuhet në propozimin e PD-së.
Opozita përcakton qartë kur vota quhet e vlefshme. Sipas tyre, vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit dhe vetë...