Bashkimi Demokratik për Integrim ka nënshkruar koalicion me Demokracinë e Re për zgjedhjet e ardhshme lokale për të gjitha komunat. BDI-ja dhe DR-ja do të dalin me lista të përbashkëta për këshilltarë në zgjedhjet e marsit, përderisa kandidatët për kryetarë komunash mbeten ata të BDI-së. Partia shqiptare në pushtet ka arritur marrëveshje edhe me partinë e Fiat Canovskit. PEI do të mbështet kandidatin e BDI-së në Strugë Arben Llabënishta, ndërsa votat e përkrahësve të BDI-së në komunën Mavrovë-Rostushë do të derdhen për kandidatin e partisë së Canovskit.
"Në Strugë në jemi në koalicion me Partinë për Ardhmëri Europiane, ku ata do të mbështesin kandidatin tonë, z. Llabënishti, kurse marrëveshja me PEI-n është për komunën e Mavrovës të cilën deri tani gjithmonë e kanë udhëhequr parti maqedonase dhe tani ne do të përkrahim kandidatin e z. Canovski që edhe komuna e Mavrovës të jetë e udhëhequr nga ky koalicion. Gjithashtu sot do të bëjmë publike edhe një koalicion të ri në nivel republikan. Ai është koalicioni me Demokracinë e Re. Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me z. Kastriot Haxhirexha, me kryetarin e DR-së për pjesëmarrjen e DR-së në listat e këshilltarëve të BDI-së", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Nga ana tjetër, RDK-ja e Rufi Osmanit ka arritur marrëveshje me Partinë Demokratike Turke, e cila konsiston në përkrahje të ndërsjellë në dy komuna. Partia turke do të përkrah kryetarin e RDK-së Rufi Osmanin i cili është kandidat për kryetar komune në Gostivar, ndërsa RDK-ja do të mbështet PDT-në në komunën e Vrapçishtit.
"RDK ka arritur marrëveshje me Partinë Demokratike Turke për një garim të përbashkët për kryetar komune në Komunën e Gostivarit dhe atë të Vrapçishtit. Unë dua të theksoj se në Komunën e Vrapçishtit kandidati jonë do të garojë nën siglën e koalicionit RDK -- PDT, dhe nën moton e RDK-së. Në komunën e Dibrës do të mbështesim kandidaturën e pavarur të kandidatit Kolari, ndërsa në pothuajse në të gjitha komunat tjera shqiptare ne do të garojmë vetëm me listë këshilltarësh", deklaroi Artan Dika, zëdhënës i RDK-së.
Ndërkaq sipas BDI-së, koalicioni mes RDK-së dhe PDT-së është i pamoralshëm, pasi Rufi Osmani ka hequr dorë nga Komuna e Vrapçishtës, e cila sipas zëdhënësit të BDI-së Osmani, duhet edhe më tej të udhëhiqet nga kryetar shqiptar, pasi në të jetojnë 85% popullatë shqiptare. Osmani ka bërë të ditur se edhe BDI-ja ka qenë në bisedime me partinë turke për koalicion në Gostivar, por pikërisht kushti i tyre që tu jepet Komuna e Vrapçishtës, ka bërë që këto bisedime të dështojnë. Nga ana tjetër, RDK-ja ka akuzuar BDI-në se deklaratat për lista të përbashkëta këshilltarësh në komunat ku shqiptarët janë pakicë kanë rezultuar si marketing politik, pasi sipas tyre nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete për lista të përbashkëta. Benjamin Arifi