ELBASAN- Një aksident i rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Mirakë të Elbasanit, në rrugën nacionale që e lidh këtë qytet me Librazhdin.
Një kamion trajler me targa AA 701 CU është përplasur me këmbët e urës së mbikalimit të trenit. Për pasojë, drejtuesi i kamionit, Ilir Prokopi, 52 vjeç, është plagosur rëndë dhe pak çaste më vonë ka humbur jetën në spitalin e Elbasanit. Burime nga policia pohojnë se kanë nisur hetimet, ndërsa për shkakun e aksidentit mendohet se lagështira në rrugë ka ndikuar që kamioni, bashkë me rimorkion e tij, të rrëshqasin, ndërsa drejtuesi 52-vjeçar nuk ka mundur ta mbajë automjetin nën kontroll.