Super sfida mes Kukësit dhe Skënderbeut duhet të ishte vitrina e futbollit shqiptar, por në fakt ka ndodhur e kundërta në stadiumin 'Zeqir Ymeri', madje përpara syve të FSHF-së. Ndeshja mes kampionëve dhe nënkampionëve të vendit në fund të një 90' me spektakël, gola dhe shumë emocione është mbyllur me një incident.
Në minutën e 94 arbitri Enea Jorgji vërshëlleu duke dërguar ekipet në dhomat e zhveshjes, por barazimi duket se është shumë e vështirë që të pranohet nga Kukësi që rebelohet ndaj Jorgjit duke kërkuar shpjegime se përse e mbylli ndeshjen para kohe sipas tyre. Disa zyrtarë të klubit verilindor me trajnerin Shensoji në krye mësynë fushën në drejtim të Jorgjit së bashkë me disa tifozë duke i kërkuar llogari, ndërsa drejtori teknik vazhdonte debatin me trajnerin Josa jashtë fushe.
Tifozët vendas duke marrë spunto nga zyrtarët e klubit fillojnë sharjet dhe ofendimet në kor ndaj arbitrit, i cili akordoi vetëm dy minuta shtesë, por për shkak të dëmtimit dhe zëvendësimit të Ribaj vazhdoi lojën duke dërguar kohën shtesë në 4 minuta, por edhe kjo nuk i kënaqi vendasit që kërkon fitoren me cdo kusht për të arritur kreun.
Policia ka ndërhyrë duke shmangur konfrontimin fizik mes drejtuesve të klubit dhe arbitrave duke i shqëruar jashtë stadiumit pas qetësimit të gjendjes. Ndërsa për kronikë ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1.