TIRANË - Kallzimi ndaj Arben Imamit nuk ka qenë e para dosje në prokurori për çështjen e reklamave. Një tjetër padi është referuar gati një muaj më parë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në "Task-Force", Prokurorinë e Tiranës.
Mësohet se, të akuzuarit për këtë tender, do të merren gjatë javës në vazhdim, për të dhënë dëshmitë e tyre për këtë skandal.
Kallzimi penal është bërë ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori, bën të ditur Top Channel.
Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë është ajo e shpërdorimit të detyres si edhe shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.
Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që ju drejtua Prokurorisë së Tiranës, kanë të bëjë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve në kuadër të liberalizimit të vizave. Bëhet fjalë për pesë tendera në shkelje të ligjeve të prokurimit me një vlerë prej 318 milionë lekësh ose ndryshe thenë mbi 3 100 000 dollarë.