TIRANE- Eshtë bërë e traditës që çdo vit krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës të përcjellin urimet për besimtarët katolikë pas vizitave trandicionale në Katedralen e Kishës Katolike në Tiranë por dhe në Katedralen e Kishës Ortodokse.
Mesazhi për paqe, mbarësi solidaritet për një Shqipëri më të mirë përcillet nga krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës.
Në "Shtëpinë e Zotit", kur bëhet fjalë për festa të tilla, si e sotmja, Krishtlindja, harrohen edhe diferencat dhe konfliktet politike dhe ndodh që Presidenti Nishani, i zgjedhur nga PD të ulet shumë pranë kryeministrit Edi Rama, kryetari i PS-së. Të shtrëngojnë dhe duart. Gjithashtu edhe Kryetari i LSI-së Ilir Meta, të shtrëngojë duart me kryetarin e PD-së Lulzim Basha.
E gjitha ndodh dy ditë pasi Kuvendi miratoi në parim pr/buxhetin 2014, pas një debati që zgjati 24 orë pa ndërprerje. Një buxhet, për të cilën mazhoranca thotë se do të sjellë rilindje dhe investim për një të ardhme më të mirë të vendit, ndërsa opozita thotë se po çon vendin drejt rrënimit.
Fundja më shumë solidaritet, dhe bashkim për një të ardhme më të mirë, për të ecur përpara me reformat, të cilat do të shpejtonin integrimin në BE, është dhe urimi i shqiptarëve dhe i BE-së për politikanët tanë.
Sepse politikanët nuk janë Zoti në tokë, por shërbëtorët e të zgjedhurve të tyre.
"Besoj se do të gjeja dakordësinë ta mbyllim dhe këtë traditën që në ditë kaq të jashtëzakonshme dhe të largëta nga politika si këto ditë të mos i jepej më mikrofoni njerëzve të politikës që të bëjnë urimet e tyre a thua se janë Zoti në tokë ne nuk jemi Zoti në tokë, përkundrazi duhet ët jemi dhe do të bëjmë çmos të jemi shërbëtorët e njerëzve të zakonshëm"- u tha Rama gazetarëve pas takimit me Imzot Rrok Mirditën.