Ministria e Kulturës ka ngritur një grup pune për rishikimin e ligjit të Artit, që do të marrë parasysh edhe statusin e artistit.
Në një dalje publike, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se ajo synon të rikthehet besimi tek ky institucion, do të ketë një rishpërndarje më të drejtë fondesh, aplikimet për projektet do të bëhen on-line , sipas afateve dhe procedurave të mirëpërcaktuara që do të jenë publike që nga dita e sotshme.
Sipas Kumbaros në këtë mënyrë do të përcaktohet më drejtë edhe kalendari i aktiviteve. "Sot është data 15 janar dhe dua t'ju bëj të ditur që sot është edhe dita e parë e pranimit të këtyre projekteve. Formularët do të jenë on-line në faqen zyrtare të ministrisë ku janë të gjitha të dhënat: si mund të aplikohet, pikën e kontaktit, adresën e e-mail-it", - ka deklaruar ministrja Kumbaro.
Ministrja e Kulturës ka shpjeguar se me propozim të vetë artistëve, do të ndryshojë edhe emri i teatrit të Komedisë. "Ai do të emërtohet "Teatri Eksperimental, Kujtim Spahivogli", në nderim të kësaj figure të njohur dhe do të synojë të sjellë zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor.
Sa i përket ndërtimeve pa leje që kanë cënuar trashëgiminë kulturore Ministrja Kumbaro, ka sqaruar gazetarët se "Jemi në fazën e indetifikimit të këtyre ndërtimeve pa leje, por edhe indentifikim juridik të dosjeve, pasi shumë prej tyre janë të regjistruar. Siç edhe mund të jeni në dijeni, në Gjirokastër, një subjekt i identifikuar si i jashtëligjshëm, është pezulluar dhe kalon në proces gjyqësor, por duhet të keni parasysh se ky është një proces i gjatë edhe juridik".
Po ashtu, ministrja Kumbaro ka bërë të ditur se aktualisht po zhvillon bisedime me
ministrinë e Financave për të rishikuar ligjin e sponsorizimeve, për të shtuar disa lehtësi për biznesin që ta kenë prioritet artin.