TIRANË - Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar se, prioritet i qeverisë është përgatitja e një klime sa më të mirë për biznesin dhe shlyerja e të gjitha borxheve që shteti i ka biznesit.
Deklarata është bërë gjatë fjalës që ai mbajti në një takim me Asamblenë e Dhomës së Tregtisë Francë-Shqipëri
Gjatë fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se, synohet që ekonomia jonë të kthehet "në ekonomi prodhuese dhe eksportuese".
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se investitorët francezë janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe kontribuues për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tonë dhe të ekonomisë shqiptare. Kryetari i Kuvendit ka vlerësuar si shumë të dobishme takimet me përfaqësuesit e lartë të biznesit gjatë vizitës së tij të fundit në Francë.
"Duke falënderuar mikun tim z. Julien Roche, që jo vetëm më dha fjalën, por edhe për ftesën në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, do të shprehja kënaqësinë time më të madhe për të qenë sot këtu me ju", tha Meta.
"Është një mundësi shumë e mirë për të shprehur edhe një herë tjetër mbështetjen gjithnjë e më të madhe që investitorët francezë do të kenë në vendin tonë si një faktor shumë i rëndësishëm dhe kontribuues për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tonë dhe të ekonomisë sonë", u shpreh ai.
"Ishte një kënaqësi e veçantë për mua gjatë vizitave të fundit në Francë si Kryetar i Kuvendit për t'u takuar edhe me përfaqësuesit më të lartë të Lëvizjes së Sipërmarrësve Francezë MEDEF International, me të cilët biseduam dhe shkëmbyem mendime për perspektivat e investimeve franceze në vendin tonë. Një javë më parë kam pasur kënaqësinë të jem edhe në Marsejë, kam pasur takime të dobishme dhe besoj shumë me perspektivë edhe për bashkëpunimin tonë në fushën ekonomike, me presidentin e Rajonit PACA (Provence-Alpes-Côte d'Azur), z. Michel Vauzelle dhe me përfaqësues të tjerë", tha Meta.