TIRANE - Pas rreth katër orë debatesh në Kuvend, kryeministri Rama ka deklaruar se komisioni ekzistues që po heton trafikun e drogës dhe akuzat për përfshirjen e Forcave të Armatosura, ka prova konkrete të cilat do t'ia referojë Prokurorisë. Ai përsëriti sërish ftesën që ish-kryeministri, bashkë me të, të shkojnë në Prokurori për të vërtetuar akuzat. "Më shih në sy çoje kokën në mësim", iu drejtua kreu i qeverisë Berishës nga foltorja e Parlamentit, ku shtoi se ambicia europiane e Shqipërisë po mbështetet nga vendet skeptike, pasi qeveria aktuale shkëputi lidhjet e drogës e krimit të organizuar, që sipas tij i la ish-qeveria Berisha.
Ndërsa, ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të lërë mandatin e deputetit nëse do t'i lejojet ngritja e komisionit të drogës ku ai prentendon të provojë se ka fakte për përfshirjen e Ramës në trafikun e drogës. Kjo deklaratë ka "ngacmuar" kryetarin e Kuvendit Ilir Meta që të bëjë një ndërhyrje gjysmë me shaka, e gjysmë me ironi. "Mos ik se po ike ti... do iki edhe unë!", situatë e cila ka shkaktuar të qeshura në sallën e Kuvendit
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, ku fokusi i replikave është vënë në akuzat e të djathtëve për trafikun e drogës, grevave të ish-nëpunësve dhe ish-të përndjekurve si dhe sjelljes së mazhorancës ndaj figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Fjalimeve të shpeshta të deputetit demokrat Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit dhe akuzave ndaj mazhorancës, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kështu:
"Do doja t'i drejtoja një lutje gjithë mazhorancës për t'ju thënë se unë besoj se veç sfidave të mëdha që ka vendi, dhe që janë tonat, secili prej nesh ka një sfidë tjetër të mos harrojë: Hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur se nxjerrin dot. Budallai të hedhë gurë ne të çojmë përpara reformat dhe axhendën tonë për në Bashkimin Europian."