TIRANE- Në ditën 15-të të grevës së urisë, Shoqata e Personave të Larguar nga administrata shtetërore ka vendosur ta ndërpresin atë. Në një deklaratë për mediat, Nertila Qafzezi, ka shpjeguar se ndonëse nuk morën vëmendjen e qeverisë Rama, qëllimi i tyre u përmbush, pasi tërhoqën vëmendjen e ndërkombëtarëve. Sipas tyre me mbylljen e grevës nuk merr fund beteja për plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa kanë falënderuar opozitën për mbështetjen e dhënë.
Sipas kryetares së Shoqatës së të Larguarve nga Administrata ndërprerja e grevës ka ardhur për arsye të gjendjes shëndetësore të grevistëve të cilët u përballen me probleme shëndetësore përgjatë 5 ditëve të grevës së urisë. Ndërsa Qafzezi tha se një tjetër arsye që solli në ndërprerjen e grevës së të larguarve nga administrata ka qenë mbështetja e marrë nga komisionieri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.
"I paraqitëm qeverisë 5 kërkesat tona, ndër to kemi kërkuar rikthimin në punë të të larguarve pa të drejtë. Por nuk pari asnjë reagim nga Rama dhe qeveria e tij për grevën tonë. Morën mbështetjen e komisionarit Fyle, i cili na tha se kjo çështje jonë do të ndiqet nga BE. Do të kërkojmë azil nëse nuk përmbushen kërkesat tona. Greva jonë do të ndërpritet nisur nga gjendja grevistëve. Falënderojmë opozitën si avokate të çështjes sonë, institucionet ndërkombëtare dhe opinionin publik", tha Qafzezi.
Greva e ish-punonjësve të administratës nisi me përplasje me uniformat blu më 21 maj, kur 10 ish-punonjës të administratës, tentuan të ngrenë çadrat përpara "Piramidës" pa marrë më parë leje pranë policisë.
Në mbështetje të tyre shkuan deputetë të Partisë Demokratike, të cilët i ndihmuan në ngritjen e çadrave, edhe pse më parë s'ishte marrë "OK-in", nga organet e rendit.
Kësaj greve iu shtuan vazhdimisht persona të tjerë, ndërsa deri në momentin kur u ndërpre greva në çadër ishin 17 persona.