DUKAGJIN - Ky është sheshi i ?2 Blinjve? në fshatin Prekal ku dy turistët çekë ndaluan për herë të fundit pasditen e së premtes vetëm pak orë para se të ekzekutoheshin mizorisht me armë në makinën e tyre. Të gjithë turistët që zgjedhin të zbulojnë bukuritë e kësaj zone, ashtu siç dy çekët e dashuruar po ktheheshin nga Thethi, nuk i kanë rezistuar hijes së këtyre blinjve, por sot gjithçka është e boshatisur dhe e heshtur. A1 Report është kthyer në këtë zonë të Dukagjinit, një ditë pas ngjarjes tragjike që shokoi opinionin publik. Shumë pranë sheshit, ka qenë një murgeshë e cila nga kisha ka parë dy të rinjtë Michael Svatos dhe Anna Kosinova të pushojnë, por dëshminë e saj nuk dëshiron ta japë para kamerave. Heshtja ka pllakosur mes banorëve dhe jetës së fshatit ku ata i druhen kamerës dhe përgjigjes për pyetjen që me indinjatë ngritën qindra shqiptarë..."Përse u vranë turistët çek?" Ky flamur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet në një lokal të vogël dhe të thjeshtë i cili pret turistët e shumtë që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë e Alpeve shqiptare. Pikërisht në këtë lokal janë ndalur edhe të rinjtë çekë të cilët kanë marrë disa pije freskuese. Banorët thonë për A1 Report se nuk kanë arritur të shquajnë të tjerë persona përveç turistëve. Por të tjerë dëshmitarë thonë se autori mund të ketë qenë brenda automjetit Nissan të turistëve çekë, Michael Svatos 27 vjeçar dhe Anna Kosinovës 36 vjeç. Jashtë kamerave, banorët tregojnë më tej se pas momentit të pushimit të rinjtë janë kthyer në makinë dhe rrugëtimi tyre ka vijuar në drejtim të fshatit të Urës së Shtrenjtë e më pas drejt Shkodrës. Por destinacioni i tyre u ndërpre brutalisht pikërisht në këtë rrugë. Gjurmët e gjakut dhe të makinës që u aksidentua pas plumbave të kallashnikovit që morën pas koke çifti i turistëve çekë janë ende prezente, e ndoshta do të mbeten gjatë në fshat.