Prirjet deflacioniste të ekonomisë shqiptare janë shfaqur që në vitin 2015, duke shfaqur vlerat më të ulëta historike të inflacionit bazë, i cili shënoi një nivel mesatar prej rreth -0.16% në vitin 2015.
Në Raportin për vitit e shkuar të depozituar në Kuvend, Banka e Shqipërisë thekson që pavarësisht se norma e inflacionit ishte 1.9%, inflacioni bazë arriti në terren negativ në fund të vitit 2015. Inflacioni bazë llogaritet duke përjashtuar nga analiza treguesit sezonale dhe elementet me ndikim të përkohshëm në çmimet e konsumit.
Raporti thekson më tej se profili në rënie i inflacionit bazë u dëshmua edhe nga inflacioni i sektorit të mallrave të pa tregtueshme të shportës së Indeksit të çmimeve të Konsumit.
Mesatarja vjetore e tij rezultoi 0.4%, me një kontribut të dukshëm negativ në tremujorin e fundit të vitit 2015. Në muajin dhjetor, kontributi i kategorisë ?Ushqime të përpunuara? ishte negativ në nivelin -0.2 pikë përqindjeje nga 0.3 pikë përqindjeje që ishte në tremujorin e parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kontributi i kategorive të tjera të shportës së IÇK-së në inflacionin total rezultoi negativ në formimin e inflacionit mesatar total (rreth -0.3 pikë përqindje). Në mënyrë të veçantë, kategoria ?Mallra të konsumit joushqimor? u ndikua nga rënia vjetore e çmimit të karburanteve, të cilat shënuan nivelet më të ulëta gjatë vitit 2015.
Gjithashtu, edhe kontributi i kategorisë ?Strehim? rezultoi negativ në fundin e vitit, i ndikuar nga rënia vjetore e çmimeve të qirave.
Ndërkaq, sipas Bankës së Shqipërisë, dobësia ciklike prodhoi presione më të dobëta inflacioniste se një vit më parë nga ana e kostove të punës dhe atyre prodhuese.
Rritja mesatare vjetore e treguesit të kostove të punës për njësi në nëntëmujorin e parë të vitit 2015 u ngadalësua në 4.6%, kundrejt rritjes 5.8% të një viti më parë.
Ky frenim erdhi si rezultat i rënies së produktivitetit të punës (-6.3%), ndërkohë që fondi i pagave shënoi rritje, por më të moderuar se një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, kostot prodhuese industriale thelluan prirjen rënëse të tre viteve të fundit.