http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Katër persona u arrestuan, pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në trafikun e lëndëve narkotike. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë për Krimet e Rënda, në pranga ranë personat nga Delvina dhe Saranda: Arben Kanina, Petro Kuçi, Mirel Ademi, dhe Artur Shukulli. Ata dyshohet se në të paktën dy episode të ndryshme kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg hashash, si edhe 670 të tjera në Greqi në vitin 2014. Sipas organit të akuzës, kreu i këtij grupi ka qenë Odise Verbofshi i dënuar përjetë për vrasjen dhe djegien e dy personave në vitin 2014. Verbofshi konsiderohej si një prej personave që organizonte banorë nga Fushë-Kruja për mbledhjen e sasive të kanabisit, të cilën më pas synonte ta trafikonte jashtë Shqipërisë. Në një nga episodet e shkëmbimit të lëndës narkotike në banesën e tij në Durrës, Odise Verbofshi vret dhe djeg në makinë Shaban Babasin dhe Albert Kasallën. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit për këtë rast, Verbofshi dhe dy viktimat ishin konfliktuar për cilësinë e hashashit të siguruar në Fushë-Krujë dhe pagesës që duhej të bënte për mallin. Ndërkohë gjatë hetimeve, pjesëtarët e grupit nga Tirana kishin porositur një sasi lënde narkotike, të cilën dyshohet se do ta trafikonin për në Greqi. Ky plan u zbulua gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe grupi i personave u mbajt nën mbikëqyrje. Nga vëzhgimi doli se ata po tentonin ta kalonin drogën nëpërmjet kufirit malor me Greqinë me anën e mushkave. Por ky plan nuk u rezultoi i suksesshëm pasi grupi po ndiqej nga policia.