VLORË-Gazrat helmues dhe ujërat e ndotur nëntokësorë në zonën naftënxjerrëse të fshatit Mërtiraj të Vlorës prej vitesh janë kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve.
Ata ankohen për sëmundje vdekjeprurëse të shkaktuara nga gazrat dhe ujërat që përfundojnë në kanalet e kullimit.
Më tej këto ujëra derdhen në lumin e Vjosës duke u përhapur në gjithë zonën, ndërkohë që asnjë prej institucioneve përkatëse nuk është marrë me këtë situatë.
Autoritetet e Bashkisë së Selenicës thonë për Report Tv se kanë dërguar në institucionet përgjegjëse gjithë dokumentacionin dhe matjet e bërë në terren.
Nëse do vazhdojë të mos marrë përgjigje, kjo bashki do të vendosë pezullimin e punë në këto puse.
Një tjetër shqetësim për ndotjen në këtë zonë është dhe derdhja pa kriter e mbetjeve, në pikën e dekantimit të naftës, të cilat përfundojnë drejt e në lumin Vjosë.