Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një dëgjesë për 90 minuta me deputetët e Komisionit të Politikës së Jashtme në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë. Presidenca njofton se Meta nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet.
Presidenti Meta thekson se vlerëson frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme. Në përfundim të takimit, deputetët e opozitës u shprehën se edhe mazhoranca ra dakord që qëndrimi i Presidentit ishte korrekt.
?Pas parashtrimit të Presidentit lidhur me qëndrimin e tij, ramë dakord që të gjithë, që qëndrimi i Presidentit është qëndrim korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese? deklaroi Paloka. Ndërsa Tritan Shehu tha se çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare.