Djalli fshihet gjithmonë në detaje. Përtej mosmarrëveshjeve dyvjeçare dhe debatit për pikën e famshme 88, drafti përfundimtar për Reformën në Drejtësi reflekton edhe një pakt gjysmë të padukshëm mes palëve, me sa duket për të mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia e re. Projekti kushtetues, i cili pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, i vesh deputetët e Parlamentit Shqiptar me imunitet para drejtësisë së re. Konkretisht, drafti që ka hyrë në procedurë parlamentare kufizon veprat penale, konsumimi i të cilave çon në arrestimin e menjëhershëm të deputetit.