Izet Haxhia ka dalë për herë të parë përpara Gjykatës së Tiranës. Report Tv ka siguruar pamjet e para të ish-truprojës së Sali Berishës, një muaj pas ekstradimit nga Turqia, i cili për herë të parë shfaqet përpara një gjykate shqiptare.
Izet Haxhia kërkon rihapjen e dosjes "Azem Hajdari", kërkesë e cila do shqyrtohet sot nga Gjykata e Tiranës. Trupa gjykuese kryesohet nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili është bërë i njohur për gjyqin e 21 janarit pasi shpalli të pafajshëm gardistët që vranë 4 protestuesit e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në këtë proces, Izet Haxhia mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa pala e akuzës nga Prokurori Petrit Bici.
Ndërkohë në seancën gjyqësore merr pjesë edhe një nga familjarët e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, si dhe miku i tij, Romeo Kara, ish-avokat i OSHEE-së i cili ka denoncuar skandalin e privatizimit të OSSH te çekët e CEZ-it.