Kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar një ditë pasi kreu i grupit socialist, Tualant Balla, i publikoi një foto, ku ai shfaqej në krah të vëllait të të kërkuarit për 3.4 milionë euro, Alfred Vladit.
Basha ka deklaruar për media se nuk e mban mend personin në foto, duke shtuar se nëse është ai që pretendon Balla, le të arrestohet që tani.
Sipas tij, nxjerrja e fotos vërtetoi se Balla është kapobanda i Elbasanit dhe e ka marrë foton pikërisht nga bandat e Elbasanit.
Parashtrimi i fotos vërteton se Balla është kapo banda i Elbasanit. E ka marrë atë nga banda e Elbasanit. Nuk e mbaj mend dhe as më ka prezantuar njeri me atë person. Nëse është ai, ta marrin ta arrestojnë tani. Nuk e mbaj mend pse ndodhej në zyrën tim, unë takoj me mijëra njerëz. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë, disa thonë se mund të ketë qenë në kuadër të një fushate për zgjedhjet e pjesshme në Dibër, por tregon se Balla është kapobanda. Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit. Policia është njoftuar nga partnerët dhe këto janë para droge, që pastrohen me garancinë e kupolës socialiste.