Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur procesin e Vettingut ndaj prokurores Rovena Gashi, e cila nuk ka qenë e pranishme përpara trupës së KPK të përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj, pasi sipas saj verifikimi i bërë nga komisionerët ka qenë i pabarabartë.
Sipas raportit të ILDKP, Rovena Gashi nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. KPK ka ngritur dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit, të paktën sipas faturave të OSHEE, ndërsa prokurorja pretendon se babai i saj është administrator i pallatit.
Vendimi i KPK për Rovena Gashin do jepet në datën 25 korrik në orën 09:30 dhe pritet që prokurorja të shkarkohet nga detyra për fshehje dhe pasuri të pajustifikuara. Rovena Gashi bojkotoi seancën dëgjimore të KPK, ndërsa zgjodhi të mospërfaqësohej as me avokat mbrojtës. Në një shkresë drejtuar KPK, prokurorja thotë se procesi i Vettingut ishte shndërruar në arenë diskreditimi publik me qëllim eliminimin e pushtetit gjyqësor.
Ish-drejtuesja e njësisë për dekriminalizimin në prokurorinë e Prokurorinë e Përgjithshme është në hetim, bashkë me bashkëshortin e saj, Dritan Gina, për fshehje pasurie. Më herët, ata u pezulluan të dy me vendim të kryeprokurores Arta Marku.