Report TV - RENEA operacion në Nikël të Krujës, bastisen vilat, ndalohet Flamur Haka

Report TV 2018-09-12

Views 8

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm forcat speciale, FNSH, RENEA, shoqëruar nga mjete të blinduara, kanë rrethuar fshatin Nikël të Krujës duke kryer kontrolle të befasishme në banesat e një grupi personash të cilët janë njohur si grupi i Niklës.

REPORT TV mëson se mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara janë ato të fisit të njohur në këtë zonë Haka. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut etj. Janë mbi 20 mjetë të forcave speciale në aksion, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA. Në pikat kyçe janë vendosur snajpera për të parandaluar ndonjë rezistencë me armë nga personat që po kontrollohen.

Aksioni është në vazhdim e sipër, nuk dihet ende nëse kanë sekuestruar armë, mjete të blinduara dhe sa persona. Nga informacioni paraprak, siguruar nga REPORT TV deri tani kanë shoqëruar në mjet të blinduar Tukun, që njihet si më kryesori i Niklës. Operacioni po drejtohet nga drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu. Nuk dihet ende cili është motivi i aksionit saktësisht. Por zona e Niklës njihet si një ndër zonat më të nxehta në Shqipëri ku kanë ndodhur një numër i madh ngjarjesh në të kaluarën, dhe grupi i Niklës është nga më të njohurit në vend.

Në këtë zonë kanë ndodhur disa vrasje, i fundit Kejsi Hysa, që njihej ndryshe si ?Tik Fajdexhiu?, pasi jepte para me përqindje, por edhe rrëmbime, rasti më i bujshëm ai i Enver Stafukës, personi që u vu nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për grabitjen e BMW-së, nga ku u qëllua për vdekje komisar Dritan Lamaj. Kjo zonë njihet edhe për kultivimin e kanabisit dhe shpërthimet me eksploziv.

Para dy ditësh iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli banesës së drejtorit të OSHEE-së për Fushë-Krujën, Besnik Masha. Shumica e ngjarjeve në këtë zonë janë të pa zbardhura. Ndërkohë që aksioni i policisë në këtë zonë vjen pas atij në Shkodër, ku u rrethua Kirasi dhe Dobraçi, ndërsa u arrestuan katër persona, por më pas njëri u la në arrest shtëpie nga gjykata.

Share This Video


Download

  
Report form