SHQIPËRI- Mëngjesin e kësaj të hëne ka nisur viti i ri shkollor për sistemin parauniversitar në të gjithë vendin. 480 mijë nxënës janë ulur sot në bankat e shkollës, ndërkohë që nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit rezulton se rreth 32 mijë nxënës janë shkuar për herë të parë në shkollë, dhe do të nisin klasën e parë. Report Tv dhe Shqiptarja.com raportojnë se mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat e vendit. 16 deputetë të PD janë shpërndarë në qytetet kryesore të vendit ku kanë denoncuar përkeqësimin e sistemit arsimor në vend, ndërkohë që mazhoranca ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka shkuar në Fier, ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kanë inaguruar shkollën Kosova në Tiranë.Në inagurimin e shkollës Kosova në Tiranë ka qenë dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Nikolla ka thënë se pasioni është ajo që e mban gjallë në shkollë.
Vëmendja jonë është për një infrastrukturë të re në shkollat e vendit. Sot në këtë shkollë kemi 600 nxënës dhe 26 mësuesë. Ajo që e bën të vecantë shkollën Kosova ishte stafi pedagogjik, ku shumë mësues ishin mentorë. Një mesazh vlen për të gjithë mësuesit, pa pasionin e mendjes dhe dashurinë e zemrës, këto mbeten vetëm mure. Në shkolla të rikonstruktuara apo jo, ne duhet të fillojmë me urimin më të mirë. Vijoni të falni nga pasioni juaj. Ne do ti përmbushim të gjitha sfidat. Ju nuk jeni vetëm. Forca!
Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit
Ky vit shkollor do të ketë dy risi në arsimin parauniversitar: Ndalimin e celularëve dhe librat falas. Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi në muajin gusht të këtij viti të ndalonte përdorimin e celularëve në të gjitha shkollat, ndërkohë që këtij urdhëri i ka paraprirë vendimi i qeverisë shqiptare për të shpërndarë librat falas.
Këto janë dy sfidat e para me të cilat do të përballen mësuesit dhe stafet e drejtorive arsimore nëpër rrethe.