Propozimet për kandidaturat që do të votbesohen të shtunën për të qenë pjesë e kupolës drejtuese të Partisë Demokratike nga 353 anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar, Lulzim Basha i bëri publike një ditë para mbledhjes së këtij forumi, ndryshe nga tradita në selinë blu. Në listën e gjatë të kandidaturave për kryesinë dhe sekretariatet në sy binte rikthimi i ish- Presidentit Bujar Nishani.
Numrin dy të kësaj force politike, Basha ka vendosur të mos ia besojë më Arben Ristanit, duke e propozuar për të qenë në krye të Komisionit të Apelimit, ndryshe nga dy nënkryetarët Paloka e Spaho për të cilët kërkoi votbesimin e Këshillit. Në vend të Ristanit në garë do të jenë dy nga këshilltarët e kreut të demokratëve Gazmend Bardhi dhe Dorjan Teliti.
Ndryshimet kanë prekur edhe pjesën tjetër të sekretariatit. Kështu Eno Bozdo nuk do jetë më Sekretar Organizativ dhe në vend të tij në garë janë Sahit Dollapit dhe Lulzim Omuri.
Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata është emri më i ri i propozuar nga Basha për të kandiduar për Sekretar për çështjet ligjore. Fatbardh Kadilli nuk është propozuar më për të qenë në krye të burimeve njerëzore, ndërsa Ivi Kaso sërish është në garë për të njëjtin post, atë të Sekretarit për çështjet zgjedhore.
Këshilli do të zgjedhë të shtunën edhe 15 prej anëtarëve të Kryesisë, ku në listë kreu i opozitës ka propozuar 50 kandidatura, ku vihet re edhe përfshirja e disa prej emrave që njihen si kritikë të kreut të demokratëve si Rudina Hajdari, Tomorr Alizoti apo Gent Malko.
Krahas zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, këshilli Kombëtar do të diskutojë edhe për gjendjen politike si dhe pritet dalje me një datë për nisjen e protestave.
Tv Klan